Protesta është momenti kur bëhet e dukshme nevoja për drejtësi, dëshira për përkatësi dhe kufijtë e asaj që një shoqëri s’është e gatshme të pranojë.

Tek ai që u godit apo u ndoq në rrugicë, nuk ikën si ndjesi me mbylljen e protestës. Trupi mbetet në alarm. Çdo zhurmë e papritur rizgjon të njëjtën nevojë instinktive për t'u mbrojtur.
Frika e bën vendin ku ndodhi ngjarja të duket ende i pranishëm, sepse kujtesa e trupit qëndron aty.
Në anën tjetër janë miliona dëshmitarët e heshtur pas ekraneve.
Nuk patën asnjë shenjë në trup, por pamjet e përsëritura dhjetëra herë në ditë krijojnë një lloj tjetër goditjeje: traumën dytësore.
Teknologjia na ka dhënë një dritare me pamje nga vuajtja e tjetrit, por na ka hequr dorën për ta ndihmuar. Ne mbetemi sovranë të pafuqishëm përpara një ekrani që na bombardon me kërcënim.
E kur kjo përsëritet çdo ditë, ndodh ajo që psikologjia e quan “lodhje nga empatia“.
Mpirja jonë e mëvonshme nuk është indiferencë; është thjesht një korratë që truri e ndërton për të mos u shkatërruar nga një peshë që nuk e kontrollon dot.

Mund të ndërrosh Kushtetutën brenda një nate, mund të ngresh godina të reja dhe të varësh flamuj europianë në çdo bulevard. Por marrëdhënia e një shoqërie me autoritetin nuk ndryshon kurrë me të njëjtën shpejtësi.
Prandaj, kur shohim shkopin e policisë të ngrihet mbi një protestues, pyetja që na përshkon nuk është thjesht për atë incident të veçantë. Ajo që na drithëron është dilema e madhe:
A jemi shkëputur vërtet nga e kaluara, apo kemi ndryshuar vetëm emërtimet e dikastereve?
Integrimi europian nuk matet te diplomacia e tryezave zyrtare, por te mënyra se si shteti përballet me qytetarin e tij kur ai zgjedh të kundërshtojë.
E nëse autoriteti vazhdon të përjetohet përmes frikës, Europa mbetet thjesht një fjalë e bukur për të mbuluar të njëjtin koncept të vjetër mbi pushtetin.
Aty ku kjo vazhdimësi psikologjike po ndërpritet për herë të parë është te Gen Z.
Për këtë brez të ri, pushteti që shfaq muscle, arrogancë apo kontroll me forcë nuk ngjall më atë frikën e vjetër sistemike.
Përkundrazi, i duket diçka e vjetruar, groteske dhe qesharake.
Të rritur në një botë dixhitale pa kufij, ku dinjiteti individual dhe e drejta për t’u shprehur konsiderohen bazike e jo “favor i dhënë nga shteti”, ata nuk mbajnë në trup memorien kolektive të nënshtrimit.
Kur institucionet përpiqen t’u imponohen me gjuhën e kërcënimit apo me shkopin e policisë, Gen Z nuk stepet e nuk përulet.
Ata reagojnë pa frikë, me mosbindje direkte dhe me një qetësi që e çorienton pushtetin e vjetër.
Sepse për ta, një autoritet që i drejtohet forcës për të mbajtur kontrollin, e ka humbur automatikisht të drejtën për t'u respektuar.

Psikologjia e pushtetit e ka një prirje të çuditshme: sa më lart të ngjitet një udhëheqës, aq më shumë zbehet pamja e rrugës poshtë tij.
Një lider kërkon natyrshëm të lërë gjurmë, të ndërtojë diçka që e mposht kohën dhe t’i japë vetes një vend në histori. Ky është vetëaktualizimi i tij.
Por fatkeqësia fillon atëherë kur vizioni i liderit për historinë shkëputet nga e përditshmëria e njeriut të zakonshëm.
Në zyrën e pushtetit, shoqëria kthehet lehtësisht në grafikë, shifra dhe arritje abstrakte.
Ndërsa te pragu i shtëpisë së qytetarit, realiteti përjetohet si pasiguri ekonomike, si pamundësi për të planifikuar të ardhmen dhe si ndjenjë e thellë e të qenit i padëgjuar.
Lideri bindet se po ndërton një të ardhme për të cilën populli “ende nuk është gati ta kuptojë”, ndërsa populli përjeton një të tashme ku dinjiteti i tij përditshëm po cenohet.
Historia shpesh i mban mend emrat e atyre që ngritën projekte e monumente të mëdha.
Por vlerën e vërtetë të çdo ndërtimi e tregon vetëm një gjë: nëse ai u shërbeu njerëzve për të jetuar më mirë, apo u kërkua nga ata që të flijoheshin në emër të trashëgimisë personale të udhëheqësit.

Izolimi është arma më e heshtur e çdo status-quoje.
Kur vuajtja ose pakënaqësia përjetohet privatisht, njeriu tenton të mendojë se faji është i tiji, se ai është i vetëm ose i pafuqishëm përkundrejt një sistemi gjigant.
Këtu qëndron forca magjike e protestës: ajo e nxjerr vetminë në shesh. Ndjenja se mijëra të tjerë po mbartin të njëjtën peshë të padukshme krijon një transformim të menjëhershëm psikologjik.
Njeriu zbulon se shqetësimi i tij nuk është një defekt personal, por një çështje kolektive. Frika fillon e hap rrugë, dhe në vend të saj lind identiteti i përbashkët.
Aty në shesh nuk ka njerëz që mendojnë njësoj për gjithçka. Çdonjëri mban me vete motivin e vet, inatin e vet apo idenë e vet për zgjidhjen. Por kjo nuk e zbehet bukurinë e atij çasti.
Rëndësia e vërtetë e protestës nuk është te rezolutat që lexohen në mikrofon, por te përvoja që lë te njerëzit: Zbulimi se përballë një realiteti të pasigurt, ne nuk jemi më atomizuar.
E ky ndërgjegjësim është i vetmi hap ku mund të mbijë ndryshimi.
Pse një njeri zgjedh të lërë qetësinë e shtëpisë, të përballojë pasigurinë, ajrin e rënduar nga gazi dhe rrezikun fizik për një kërkesë që nuk i sjell ndonjë përfitim të menjëhershëm vetjak?
Sepse te njeriu ekziston një fije e hollë që refuzon ta shohë drejtësinë vetëm si një punë personale.
Kur shohim një padrejtësi të kryhet mbi tjetrin, diçka brenda nesh e kupton se cenimi i parimit dëmton të ardhmen e të gjithëve.
Aty protesta shkëputet nga të qenit thjesht një reagim emocional dhe kthehet në një akt të lartë moral.
Megjithatë, të dalësh përtej vetes nuk do të thotë të shkrirësh mendimin tënd brenda impulsit të turmës.
Solidariteti i pjekur kërkon diçka më të vështirë: aftësinë për të mbrojtur parimin pa e humbur arsyen.

Si mundet që një njeri me uniformë, misioni i të cilit supozohet të jetë mbrojtja e jetës, të veprojë me një ftohtësi të tillë sa të ngrejë shkopin mbi trupin e një fëmije 13-vjeçar?
Kur shohim pamje të tilla, psikologia jonë pëson një goditje të dyfishtë: përveç dhunës fizike, ne përballemi me absurditetin moral të atij që e kryen atë.
Psikologjia sociale përpiqet të na e zbërthejë këtë mekanizëm. Ajo na flet për “dehumanizimin”:
Një proces ku polici nuk e sheh më fëmijën si një qenie të brishtë me jetë e ëndrra, por e redukton atë në një “kërcënim”, një “objekt” apo thjesht një “pengesë” në shesh.
Ajo na flet për “bindjen ndaj autoritetit” dhe çpersonalizimin që sjell uniforma: kur vesh atë rrobë, individi shpesh zhvishet nga ndërgjegjja personale dhe kthehet në një vegël të ftohtë ekzekutuese.
Përgjegjësia individuale shpërndahet te zinxhiri i komandës, dhe brenda mendjes së tij krijohet një fushë e mpirë ku dhuna nuk përjetohet më si krim, por si “detyrë”.
Por këtu përplasemi me murin e madh etik. Teoritë psikologjike mund të na shpjegojnë se si errësohet mendja e një njeriu në uniformë, por ato nuk e shpëlajnë dot fajin e tij.
Të kuptosh se si funksionon de-individualizimi nuk do të thotë ta arsyetosh atë.
Asnjë urdhër, asnjë presion grupi dhe asnjë analizë akademike nuk mund ta arsyetojë goditjen mbi një 13-vjeçar. Kur dhuna e shtetit arrin këtë pikë, shpjegimet teorike fillojnë e dështojnë sepse përballen me një absurditet të pastër moral.
Kjo është pika ku analiza psikologjike duhet të ndalet së kërkuari rrethana lehtësuese dhe të kthehet në akuzë: Sepse një shoqëri që pranon ftohtësinë e dhunës ndaj më të dobëtve si një “rrethanë krizash”, ka pranuar të humbasë pikërisht arsyen pse ekziston si e tillë.

Mënyra se si reagojnë institucionet ndaj këtyre dy emocioneve tregon pjekurinë e tyre.
Një pushtet që përpiqet ta mbytë zemërimin me forcë ose ta shfrytëzojë frikën për të kontrolluar njerëzit, nuk po e zgjidh krizën, po e shtyn atë drejt një shpërthimi më të egër.
Pushteti shpesh ushqehet me frikën e qytetarit. Frika nga pasiguria, nga ndëshkimi apo nga humbja e asaj pak stabiliteti e bën njeriun të tërhiqet dhe të pranojë nënshtrimin si mjet mbijetese.
Por frika ka një kufi.
Kur përjetohet gjatë dhe nga shumë njerëz njëkohësisht, ajo përmbyset dhe shndërrohet në zemërim.
Zemërimi në shesh është momenti kur qytetari refuzon të ketë më frikë. Është kërkesa e tij e fundit për dinjitet, pasi çdo rrugë tjetër institutional i është mbyllur.
Nëse institucionet e trajtojnë këtë zemërim thjesht si një problem të “rendit publik” që duhet pastruar nga rruga, ato bëjnë një llogari shumë të gabuar.
Dhuna shtetërore mund ta shpërndajë turmën sot dhe mund ta zbrazë sheshin për disa orë. Por ajo nuk e fshin shkakun që i nxori njerëzit aty.
Shtypja e zemërimit nuk e zhduk atë ajo thjesht e detyron të futet në nëntokën psikologjike të shoqërisë. Aty ai ushqehet me dëshpërim, pafuqi dhe inat të grumbulluar. Kjo derisa të gjejë shkëndijën e radhës për të shpërthyer prapë. Por këtë herë me më pak arsye e më shumë egërsi.
Kjo është arsyeja pse një pushtet i pjekur nuk matet te aftësia për të ushtruar dhunë, por te guximi për t’u përballur me arsyet e zemërimit.
Protesta e sotme nuk është thjesht një përplasje fizike në shesh, por testi më i thellë psikologjik i shoqërisë sonë.
Ajo nxjerr në sipërfaqe traumën e patrajtuar nga dhuna e rrugës dhe e ekranit:
Zbulon shkëputjen e pushtetit megaloman nga dinjiteti i përditshëm i qytetarit dhe përballet me absurditetin moral të një shteti që ngre shkopin mbi një 13-vjeçar.
Ndërsa Gen Z e thyen përfundimisht trashëgiminë e frikës diktaturiale duke e zhveshur autoritetin e forcës nga çdo legjitimitet.
Prandaj, mbytja e zemërimit me gaz e represion nuk e zgjidh krizën.
Thjesht e çon atë në nëntokën e psikes kolektive, ku ushqehet derisa të shpërthejë sërish me më shumë egërsi përballë një pushteti që ende refuzon të piqet.
Për të përmirësuar përvojën tuaj, përdorim cookies për të ruajtur ose aksesuar informacione në pajisje. Me pëlqimin tuaj mund të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID unike. Mospëlqimi mund të ndikojë në funksione të caktuara të faqes.